15 raste të reja, 9 të shëruar! Asnjë i infektuar me COVID në 24 orët e fundit në Krujë

24 Prill 2020, 11:20 | Përditesimi i fundit: 2020-04-24 15:59:18

TIRANE- Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 15 raste më COVID, ndërsa 9 janë shëruar duke arritur që të fitojnë luftën me koronavirusin. Eugena Tomini nga ISHP-ja theksoi se nga totali i rasteve të reja 9 raste janë në Tiranë, të gjitha kontakte të rasteve të mëparshme, 2 raste janë në Mirditë, 1 në Shkodër, 1 në Kukës, 1 në Has dhe 1 në Kurbin. Në Krujë që është vatër e nxehtë nga fasoneritë fatmirësisht nuk ka pasur asnjë rast të ri në 24 orët  e fundit. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 259 persona të dyshuar me COVID-19. Nga totali i rasteve të dyshuara janë testuar 36 personel shëndetësor, të cilët kanë rezultuar negativë për Sars-Cov2.

"Deri në këto momente janë testuar 6768 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 678 raste, pra rreth 10% e totalit të rasteve të testuara. Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 394 ose 58.1% e totalit të të prekurve. Aktualisht në vendin tonë 257 ose 41.9% e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion" tha ajo.