154 këmbësorë në Tiranë nuk i binden policisë, 129 shoferëve u bllokohen makinat

22 Mars 2020, 10:31

TIRANË - Gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë janë shoqëruar në komisariat 41 persona, pasi nuk respektuan oraret kufizuese dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për t;u futur në banesë, si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19. Policia e Shtetit njofton se ata janë ndëshkuar me masë administrative 10 mijë lekë të rinj. 

Në kryeqytet, policia arrestoi në flagrancë dy persona, një 42 vjeçar, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë për moszbatimin e urdhrit për të qëndruar në banesë, si dhe një 26 vjeç, pasi shkeli urdhrin për të qëndruar në banesë. Gjatë kontrolli fizik të riut iu gjetën 8 gram lëndë narkotike dhe dyshohet se përdorte një minoren për të shpërndarë lëndën narkotike.

Ndërkohë, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me 10 mijë lekë gjobë 154 persona, të cilët u konstatuan nga shërbimet e policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 129 drejtues automjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim të makinës, në zbatim të Aktit Normativ ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19".

Në të gjithë vendin janë konstatuar 17 subjekte tregtie që nuk kanë respektuar orarin për mbylljen në orën 13:00 dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Gjithashtu, në Shkodër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një person i ardhur nga zonat e kuqe, i cili ka thyer rregullin e vetëkarantinimit.