16 ditë me temperaturë, biznesmeni shqiptar në Francë tregon momentet më të vështira

7 Prill 2020, 12:39

Saimir Deda është një biznesmen shqiptar prej vitesh me aktivitetin e tij në Lyon të Francës. Prej 16 ditësh ai kaloi temperaturë të lartë, mbi 38 gradë celcius, por fatmirësisht frika e tij se mund të ishte prekur nga COVID-19, mbeti vetëm e tillë. Pas kryerjes së analizave dhe vizitave, rezultoi që ishte thjesht një virus gripal sezonal. Megjithatë, situata e vështirë që ai kaloi e ka bërë të rrisë edhe më shumë masat mbrojtëse për të mos pasur risk infektimi nga COVID-19. Në një lidhje me Skype për Report Tv, biznesmeni Saimir Deda ishte i pajisur me maskë, teksa paraqitë një panoramë të situatës në Francë me koronavirusin. Ai tha se transporti publik e metrotë janë të boshatisura.

Njëjtë si në Shqipëri, edhe Franca ka marrë masa për të mbështetur biznesin e vogël dhe të madh.

Qeveria ka nxjerrë fonde emergjence edhe për biznesin e vogël edhe për të madh, miliona euro janë hedhur që mos të bien në krizë për punëtorët, për taksat. Tek restoranti i parë i imi janë 7 punëtorë që deri me datë 17 i kemi ne pagesat detyrimit, derisa qeveria nxori urdhrin e karantinimit.  Pjesa tjetër është krijuar fondi nga qeveria, janë kontabilistet që çojnë dokumentacionin aplikojnë në atë faqen që kanë nxjerrë", shpjegoi Deda.

Megjithatë, më e rëndësishme për të, është vetë jeta. "Biznesi ngrihet prapë", thekson ai.  

"Uroj që edhe Shqipëria ta kalojë gjithë këtë situatë e mos të ketë viktima, uroj shërim të shpejtë të prekurve. Unë kam njerëz në Shqipëri, por deri tani janë mirë me shëndet, kjo është kryesorja", përmbyll lutjet e tij biznesmeni Saimir Deda.