16 raste të reja me COVID, 24 të shëruar! Te Infektivi 3 shqiptarë pjesë e KFOR-it, erdhën nga Kosova

29 Prill 2020, 11:15 | Përditesimi i fundit: 2020-04-29 11:19:36

TIRANE-Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 270 persona të dyshuar me COVID-19 nga të cilët janë konfirmuar 16 raste pozitive, 9 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë, 1 raste në Shkodër dhe 1 rast në Berat. Deri në këto momente janë testuar 8028 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 766 raste në total. Një lajm i mirë për të shëruarit. Gjatë 24 orëve të fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 455.Nga 281 pacientët aktivë me COVID19 në vendin tonë vetëm 10 % po trajtohen në dy spitalet COVID ndërsa rreth 90% e tyre janë në vetëizolim me simptoma të lehta ose janë pa simptoma dhe monitorohen në mënyrën sistematike nga mjeku i familjes. Deri tani 30 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. ISHP-ja njoftoi sot se në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar, 6 pacientë janë në terapi intensive. Në totalin e të shtruarve në spitalin infektiv, po sipas ISHP-së ndodhen edhe 3 raste të importuara COVID19, ushtarë shqiptarë të KFOR-it të ardhur nga Kosova. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 33 pacientë.