18-vjeçarja shkodrane e larguar nga shtëpia ndjek LIVE 'Pa Gjurmë', mesazh në FB babait: Na more fytyrën!

5 Nëntor 2019, 17:37 | Përditesimi i fundit: 2019-11-05 19:32:35

TIRANË - Prej 21 tetorit 2019, Rozaldina Nasufi, 18 vjeç rezulton e zhdukur, ndërsa familja e saj nga Shkodra kërkon ndihmë në emisionin "Pa Gjurmë" në Report Tv. Paraditen e sotme vajza i ka dërguar disa mesazhe zanore në Facebook babait të saj nga një profil i rremë me emrin "Endri", ku i ka thënë se ndodhet në Durrës dhe se ka frikë të kthehet në familje. Babai thotë se e ka falur dhe do të dijë vendin se ku ajo ndodhet për tu siguruar se e reja po qëndron me dëshirë dhe jo e detyruar nga persona të tjerë.

"Vajza më ka thënë që ndodhet në Durrës, por se ku ekzaktësisht jo. Nuk e di përse nuk më kontakton. Nuk i di arsyet e saj. Nuk është se unë i kam keqtrajtuar apo e kam nxjerrë të punojë, unë i kam siguruar të gjitha vet", tha ai në një lidhje të drejtpërdrejtë nga qyteti i Shkodrës ku tha se do t'i drejtohet policisë për të bërë denoncimin për vajzën, me dyshimet se mund të jetë rrëmbyer. 

Babai ngre dyshime se vajza e tij mund të jetë në kushtet e presionit nga persona të tjerë për të thënë se është mirë. Ai kërkon të mësojë vendndodhjen e vajzës 18- vjeçare për ta parë me sytë e tij se ajo është mirë dhe se personat rreth saj nuk po e shfrytëzojnë.  Babai tha se vajza e ka ndjekur LIVE emisionin Pa Gjurmë me moderatoren Odeta Dume, dhe aty i ka dërgua një mesazh zanor në rrjetin social babait: "Hiqi ato foto se na more fytyrën, është turp për ne se po dëgjojnë edhe vjerria", citoi babai fjalët që i ka thënë e bija.

Babai tregon më tej një tjetër mesazh që vajza i ka dërguar dhe që e bën të shtojë edhe më shumë dyshimet se ajo nuk po qëndron larg shtëpisë me dëshirën e saj. "Hajde vetëm ti e mami, mos hajde me persona të tjerë. I kam kërkuar të më thotë adresën, por nuk më ka kthyer ende përgjigje", tha babai.

Po ditën e sotme, në emisionin "Pa Gjurmë" erdhi një dëshmi e një personi, i cili thotë se nga fotot e transmetuara në emision, ka dyshime se Rozaldina ndodhet në Durrës dhe punon në disa lokale nate. Vajza është prezantuar me një emër tjetër - tha dëshmitari - por ka shumë dyshime të jetë 18-vjeçarja nga Shkodra. 

"Në Durrës më duket se punon në tallava. Jam i bindur me 1 milion përqind. Të vij një familjar ta coj unë nëpër tallava. Kam dëgjuar se këto rrijnë një grup shoqesh. Diku e kam pikasur, se kaloj shumë në tallava. Jam i bindur me 1 milion përqind", tha dëshmitari. Një tjetër informacion i ardhur gjatë transmetimit LIVE e përforcoi këtë dyshim, pasi thanë se një grup vajzash nga Shkodra punojnë në lokale nate në zonën e Maminasit.