2 atentate në 7 ditë ndaj pronarit të hotel 'Volorekës': I denoncova me emra por i përkrah policia

8 Gusht 2020, 14:56

POGRADEC-  Dy persona kanë qëlluar me kallashnikov në drejtim të hotelit "Voloreka" në Tushemisht. Hoteli "Voloreka" i cili është qëlluar me 100 plumba mëngjesin e sotëm, është në pronësi të Emanuela Muçllarit, bashkëshortes së Jetmir Muçllarit.

Burime bëjnë me dije se 100 plumba janë qëlluar në drejtim të makinave të parkuara, duke dëmtuar 6 makina luksoze. Ndërkohë me 24 plumba kanë qëlluar vetëm makinën e pronarit, Jetmir Muçllari. Sipas informacioneve, kriminelët kanë qëlluar edhe në drejtim të dhomës së djalit të pronarit.

Pronari i hotelit "Voloreka", Jetmir Muçllari ka zbuluar se atentatorët kanë qëlluar disa herë në drejtim të dhomës së djalit të tij dhe dy dhomave të tjera, ku ishin turistë. Muçllari deklaroi se janë të kërcënuar të gjithë si familje dhe ka kërkuar mbrojtje nga policia.

"Kanë qenë dy persona në këmbë, të cilët kanë qëlluar me kallashnikov,duke shkehur disa karikatorë në drejtim të makinave të parkuara dhe hotelit. Atentatorët kanë qëlluar disa herë në drejtim të dhomës ku flinte djali dhe dy dhomave ku ishin turistë. Nga plumbat nuk ka persona të lënduar. Fillimisht autorët qëlluan në drejtim të rojes së hotelit, duke i kërkuar që të mos lëvizte. Plumbat dëmtuan dy makinat e mia dhe të djalit dhe 4 mjete të turistëve. Jemi të kërcënuar si familje. Kërkojmë mbrojtje nga policia. Dyshoj se objektiv i atentatit të sotëm dhe atij që ndodhi para një jave ka qenë djali im. I kam denoncuar me emra autorët por policia nuk po vepron. Kërkoj azil për dy djemtë, pasi këtu ju rrezikohet jeta", deklaron për "Report Tv", Jetmir Muçllari.