TIRANË- Në mbledhjen e sotme të qeverisë të thirrur për herë të parë për masat ndaj koronavirusit, janë prezantuar disa masa shtesë për parandalimin e tij, pas konfirmimit të dy rasteve të para në Shqipëri.
Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se do të mbyllen shkollat deri për dy javë, do të anulohen fluturimet drejt veriut të Italisë deri në datë 3 prill, si dhe do të akordohet një fond shtesë prej 400 milionë lekë Ministrisë së Shëndetësisë për të përballuar situatën lidhur me koronavirusin. Rama bëri me dije se do të kërkohet edhe anulimi i të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, tubime, koncerte, aktivitete, dëgjesave publike, deri në datën 3 prill, për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi dhe pastaj për të vendosur për më tutje.
Gjithashtu personat të cilët hyjnë në Shqipëri nga zona e kuqe janë të detyruar që të vetëkarantinohet, në të kundërtën, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se në rast se do të shkelet ky urdhër parashikohen edhe masa administrative.
Ministria e Shëndetëisë ka ndaluar vizitat e familjarëve të pacientëve në spitale si dhe eksportin e barnave dhe mjeteve spitalore.
Në orët e para të ditës së sotme, ministria e Shëndetësisë konfirmoi se babë e bir kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Bëhet fjalë për dy raste të importuara nga Fierence, të cilët kanë ardhur në Shqipëri përmes pikës Kufitare të Hanit të Hotit. 28-vjeçari ka hyrë në Shqipëri në datën 26 shkurt dhe ka infektuar edhe babanë e tij. Ministria e Shëndetësisë theksoi se janë marrë monstrat e të gjithë kontakteve të dy rasteve të prekur me koronavirus ndërsa shtoi se është bërë edhe izolimi i tyre, deri në verifikimin e plotë.
Babë e bir, të identifikuar me inicialet V.K. dhe P.K. janë tek urgjenca e Infektivit në Tiranë. Ndërkohë që sot, ky ambient i spitalit është dezinfektuar, pamjet të cilat i sjell dhe Report Tv.