2 ton kokainë nga Ekuadori në Gjermani/ Ja si vepronin shqiptarët dhe si funksiononte banda

13 Shkurt 2019, 14:09

Në Gjermani po zhvillohet gjyqi për tetë anëtarë të një bandë shqiptare që llogaritet që të ketë trafikuar mbi 2 ton kokainë gjatë periudhës midis shtatorit 2017 dhe prillit 2018. Lënda narkotike trafikohej nga Amerika Latine, Ekuadori në drejtim të Gjermanisë e fshehur në kutitë me banane. Report Tv publikon pamjet si vepronte grupi i shqiptarëve në trafikun e kokainës.

Kokaina fshihej në kutitë e bananeve në Ekuador dhe prej andej dërgohej në adresë të një kompanie me seli në Gjermani. Grupi kriminal bazën e kishte në Hamburg. Trafikantët hynin më pas në depot ku ruheshin bananet dhe merrnin kokainën, deri më 320 kg për çdo rast. Sipas mediave gjermane, trafikantët vinin enkas nga Shqipëria. Ata udhëtonin nga Shqipëria për të tërhequr drogën nga magazinat e kompanisë Greenyard e më pas ktheheshin përsëri në Shqipëri për të mos u identifikuar nga policia. 

Në pamje, duket duken disa nga trafikantët, të cilët kishin qenë të armatosur në momentin që merrnin kokainën nga baza ku ishin vendosur bananet. Ndër shumë prova të siguruara për implikimin e  shqiptarëve policia bavareze disponon edhe  gjurmë AND-je  në objekte të cilat janë mbledhur në kuadër të hyrjeve me forcë dhe në paketimet e paletave të kokainës.