Si është e mundur që dinin që fitoja 5 milionë euro kur kisha vetëm një muaj që kisha marrë detyrën? Kjo është pyetja që ngriti ish-ministri Saimir Tahiri duke ju referuar disa përgjimeve të grupit kriminal që e akuzonin se minimumin e fitimit në një muaj Tahiri e kishte 5 milionë euro.
Saimir Tahiri nuk la pas edhe ironinë me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe akuzat se ka fjetur në hotel 900 euro nata.
"Ata trafikantë flasin për 5 milionë euro dhe 20 milionë euro që fitojë unë dhe i doja për zgjedhjet. Atëherë përse prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka hetuar nga kryeministri Edi Rama tek unë dhe tek të gjithë të tjerët që bënin namin? Kanë hetuar çdo lëvizje timen, hyrje-dalje e çdo gjë, por unë jam ministri që kam hotelin më të shtrenjtë ku kam fjetur ka qenë 140 euro dhe jo si ajo tjetra 900 euro", tha ish-ministri Tahiri.
Tahiri tha ndër të tjera se droga nuk mund të kultivohej në kohën kur ai mori postin e ministrit të Brendshëm, referuar stinës.
Emri i ish-ministrit Saimir Tahiri doli në përgjimet e 16 dhjetorit të vitit 2013 gjatë një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt. Moisiu thotë se "Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro". Sabi i thotë "që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale". Por Moisiu i thotë "që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale".