Në Gjirokastër sot ka zbarkuar flota e motoçiklistëve italianë të pasionuar pas prodhimeve të Vespa-s, i cili njihet si mjeti më i preferuar motorik i italianëve.
Kanë qenë afro 200 motoçiklistë të ardhur nga rajone të ndryshme të Italisë të cilët kanë zgjedhur ditën e sotme të ndërmarrin turin e tyre motoristik, në kalldrëmet e qytetit të gurtë.
Ceremonia e mbërritjes së tyre nga Italia, është organizuar në sheshin “Çerciz Topulli” ku i ka pritur kryetarja e bashkisë Zamira Rami nën shoqërinë e konsullit të Nderit të Italisë në Gjirokastër Teodor Bilushi. Për kryetaren e bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, vizita e sotme e motoçiklistëve italianë, është në kuadrin e sezonit turistik që ka çelur Gjirokastra dy javë më parë ndërkohë që zonja Rami ka falenderuar konsullin e nderit në Gjirokastër Teodor Bilushi, për aktivitetin e sotëm i cili hap dyert për ardhjen e të tjerëve turistëve italianë në kryeqendrën e jugut.
