200-230 raste në ditë tek infektivi në Tiranë, merren mostra për shkakun: Dyshohet nga uji

9 Shtator 2019, 18:02

TIRANË- Rastet e shtuara në urgjencën e infektivit në QSUT, kanë vënë në lëvizje bluzat e bardha për të gjetur shkakun dhe mënyrën e përhapjes së virozës.

Brenda një dite, paraqiten rreth 200-230 pacientë në urgjencën e infektivit në QSUT,  numër ky i pazakontë për një situatë normale

Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije për Report Tv, se për të qartësuar këtë situatë dhe për të gjetur shkakun, janë marrë mostra nga rastet qe janë paraqitur në urgjencë, dhe po bëhet analizimi i tyre.

Tashmë pritet përgjigja e Institutit të Shëndetit Publik për të përcaktuar se çfarë e shkakton këtë virozë dhe si po përhapet. Simptomat e rasteve të paraqitura në urgjencë, janë të njëjtat: temperaturë e lartë, të vjella, humbje ekuilibri dhe dhimbje koke.

Për sa i përket analizave të ujit, nga ku dyshohet se po përhapet viroza, të njëjtat burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se këto janë kontrolle periodike që bëhen vazhdimisht. Dhe pa dalë ende përgjigja nga Instituti i Shëndetit Publik, nuk mund të thuhet ende me siguri se çfarë e shkakton.

Kujtojmë se një javë më parë, mjekë të shërbimit të infektivit, bën deklaratë për fluksin e shtuar si dhe u  bënë thirrje  qytetarëve që fillimisht të drejtohen tek mjeku i familjes dhe jo direkt në urgjencë, kjo për ti dhënë mundësi pacientëve që kanë vërtët nevojë për ndihmë të specializuar.

B.K./Shqiptarja.com.