2019 shton të pasurit në Shqipëri, Tatimet: 3 mijë veta më shumë se në 2018

12 Gusht 2020, 16:24

Viti 2019 pati një rritje të konsiderueshme të personave me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë të rinj, si pjesë e kategorisë që kanë detyrim t’i deklarojnë ato në Drejtorinë e Tatimeve.

12 mijë individë rezident në vendin tonë, në krahasim me 9 mijë që ishin në vitin 2018, kanë aplikuar pranë Tatimeve për të dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të Ardhurave (DIVA), afat i cili përfundoi më 3 gusht.

Por nga burojnë këto të ardhura që duhen deklaruar? Sipas ligjit tatimor, kushdo që ka mbi 2 milionë lekë në vit të ardhura, nga paga mujore apo shpërblimet në punë,  qiratë, nga shitja e pasurisë së paluajtshme, apo të ardhura të siguruara nga burime të tjera, ka detyrimin ligjor për t’i deklaruar këto të ardhura një formë kjo, edhe për të justifikuar pasurinë e vënë.

Në ndryshim nga më parë, këtë vit deklarata ka qenë e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi. E vetmja gjë që qytetari duhet të plotësojë janë të ardhurat nga burimet e tjera.

Burime nga Drejtoria e Tatimeve, thanë për Report Tv se deklaratat të cilat dorëzohen në mënyrë elektronike nëpërmjet sistemit e-filing, do të rishikohen për të shmangur gabime që mund të jenë bërë në plotësim dhe për të bërë korrigjimet e nevojshme.