2020-ta/ Zero spektatorë në Teatrin Kombëtar, Hervin Çuli: Ky katërvjeçar ka qenë me probleme!

9 Shkurt 2021, 17:06 | Përditesimi: 9 Shkurt 2021, 17:06

Gjatë një viti pandemie, Teatri Kombëtar, ishte i vetmi institucion kulturor, që nuk ngjiti asnjë shfaqje teatrore në ambiente të hapura. Për këtë numri i spektatorëve të deklaruar zyrtarisht në INSTAT ishte zero. Por përpos kësaj, drejtori i këtij institucioni, Hervin Çuli, i cili për herë të parë para medieve del pas një viti për të prezantuar Festivalin Teatror Online, tregon edhe “përpjekjet” që ka bërë për të ndryshuar këtë situatë

“TK nuk ka dhënë shfaqje në eksterier. Gjithë kjo periudhë, prishet apo jo teatri ka ndikuar në numrin e spektatorëve. Ky katërvjeçar për Hervin Çulin dhe TK ka qenë një katërvjeçar me probleme, padyshim që kjo ka ndikuar në performancë. Shifrat për teatrin online, janë të paimagjinueshme. Kemi pas kalendar artistik online; me poezi dhe intervista”, thotë Çuli.

Sa u përket alternativave që kanë dhënë kritikët e artit në vend, për të ngjitur në skenë monodrama të ndryshme në hapësira të jashtme, Çuli shpjegon se:

“Ne kemi marrë një urdhër nga qeveris shqiptare, që nuk mund të rrimë më shumë se dhjetë veta bashkë. TK nuk mund të ngjit monodrama, s’mund të bëjmë sikur bën një shfaqje. Ne s’mund të japim një shfaqje pa dekor, duhen të paktën 20 aktorë”, vijon Çuli.

Përpos Çulit, ministrja e Kulturës këshillon që publiku të pranojë mendësinë ndryshe drejt platëformave online në mënyrë që periudhën e pandemisë mos ta kujtojnë vetëm si datë

“Ne po respektojmë rregullat, kush si ka respektuar besoj se do merren masa për ta. Sa kohë s’na është lejuar hapja nga Komiteti i Eksperteve, që e kemi kërkuar në momente të ndryshme, por përballë shifrave nuk është marrë parasysh. Në këtë moment jemi në momentin më kritik në vend të pandemisë. Nuk na takon ne që të marrim përsipër këtë, ne bëjmë propozime. Unë e kuptoj, që të gjithë duan që t’i rikthehen normalitetit. Në teatër normaliteti  janë spektatorët që duartrokasin artistët, por do të doja që të kishte një moment reflektimi edhe ndryshimi mendësie dhe tek publiku. Nëse do të vazhdojmë që të kërkojmë veç atë që kishim, edhe nuk do kemi asnjë lloj qasje për të pranuar sfidën edhe për të eksperimentuar nëse po ecim në rrugën e duhur, kjo pandemi do mbes thjesht me data, por asgjë  e ndryshuar në kokën tuaj”, thotë ministrja Margariti.

b.ha./Shqiptarja.com