205 jetë te reja në kohën e COVID-19/ Mjeku: Gratë shtatzëna janë më imune, por të kujdesen!

8 Prill 2020, 13:03 | Përditesimi i fundit: 2020-04-08 13:37:09

Çdo grua shtatzënë që hyn në maternitet shihet nga mjekët si një person i infektuar, thotë zv.drejtori i maternitetit të ri 'Koço Gliozheni', Ilir Tasha, si e vetmja formë për t'i mbrojtur ato, por edhe veten. Në një lidhje me skypë për Report Tv, Tasha qetësoi nënat shtatzënë duke thënë se ato janë më imune krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë përballë këtij virusit, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të respektojnë njësoj si të gjithë masat e marra. Teksa Shqipëria po përballet me këtë virus, nga 10 marsi deri më tani 205 foshnje kanë ardhur në jetë, si një sinjal shprese dhe optimizmi.

"Nëna paraqet një lloj imuniteti krahasuar me pjesën tjetër të popullatës. Ky është një sinjal pozitiv, një lajm i mirë që duhet tua themi nënave, që mund të jenë të ngarkuar emocionalisht. Kjo nuk do të thotë që të sillen ndryshe nga popullata, duhet të respektojnë masat si pjesa tjetër e qytetarëve. Mund të kryejnë aktivitetin e përditshëm, por duhet të respektojnë masat. U bëj thirrje grave shtatzënë që të tregohen të sinqerta për çdo lloj kontakti që kanë pasur. Për shqetësimet flasë të mos drejtohen pranë institucionit pa komunikuar me mjekun", tha Tasha.