21 raste të reja me COVID vetëm në Tiranë, 13 personel mjekësor në QSUT, i infektoi një infermiere!

27 Maj 2020, 10:51 | Përditesimi i fundit: 2020-05-27 14:44:54

TIRANE-Në 24 orët e fundit vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur me Sars-Cov2 në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera rezultojnë pa raste të reja. Janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë, 4 më pak se dje. Vatrat e nxehta në Tiranë janë call center që u zbulua dje dhe sot QSUT. Nga një hetim i thellë epidemiologjik, sipas ISHP-së rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, kontakte të një infermiereje e cila rezultoi pozitive 2 ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit. Nga 13 të prekurit në QSUT, 6 janë staf mjekësor, 4 pacientë të shtruar te Infektivi dhe 3 pacientë pa simptoma të vetë- izoluar.Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend. Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Ne 24 orët e fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.