24 viktima nga COVID-19/ Humb jetën 68-vjeçarja nga Tirana, kishte kryer në Infektiv 5 seanca dialize! 21 raste të reja në 24 orë

13 Prill 2020, 11:24 | Përditesimi i fundit: 2020-04-13 22:36:02

21 raste të reja me koronavirus janë identifikuar në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit në 193 teste të kryera. Nga këta, 1 është personel mjekësor dhe dy fëmijëve, të cilët sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, janë pa simptoma klinike. 

Deri në këto momente janë testuar 4070 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 467 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
 
Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 232. 

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 43 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre janë të intubuar.
 
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 52 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Shkodër 13 raste, Durrës me 1 rast dhe Hasi me 1 rast. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi hetimit epidemiologjik në terren.