21 vite shtëpia e PD, historia e godinës ku Ilir Meta demostroi sot forcën! Berisha e kaloi në pronësi të Bashkisë së Tiranës në 2013

12 Mars 2021, 17:51

Ish-selia historike e Partisë Demokratike, ku strehohet që nga viti 2016 Partia Fryma e Re Demokratike është kthyer sot në arenë tensioni, përplasjesh fizike dhe kërcënimesh, me protagonist Presidentin Ilir Meta, i cili duke dalë nga roli i kreut të shtetit, është angazhuar për të zgjidhur me dhunë një mosmarrëveshje mes një subjekti politik dhe qeverisjes vendore. Kjo godinë mbahej nga Partia Demokratike nga prilli i vitit 1992 deri në shtator të vitit 2013.

Në 28 gusht të vitit 2013, Sali Berisha, kryeministër në ditët e fundit të tij, vendosi kalimin e godinës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, përmes një VKM-je.

Në verën e vitit 2013, Sali Berisha, ende kryeministër në detyrë, në bashkëpunim me ministrin e Mbrojtje Arben Imami dhe Presidentin Bujar Nishani, kaloi në emër të Partisë Demokratike Shtëpinë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP), sot selia qendrore e PD-së, në Bulevardin Zhan Dark, pranë xhamisë së re të Tiranës.

PD nisi të braktisë selinë e vjetër në rrugën "Abdi Toptani" Tiranë, në shtator të vitit 2013, pasi doli në opozitë.

Lulzim Basha, në atë kohë kryebashkiak i Tiranës vendosi të kalonte në këtë godinë disa drejtori të Bashkisë së Tiranës.

Që prej atij viti ndërtesa, që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, përdoret nga kjo e fundit për të ofruar një sërë shërbimesh ndaj qytetarëve. Në këtë godinë, ndodhen zyrat e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), disa sektorë të burimeve njerëzore, si dhe disa zyra të drejtorisë juridike.

Në prill të vitit 2016, Bashkia e Tiranës lidhi një kontratë 2-vjeçare me FRD-në, në atë kohë me në krye të Bamir Topin, duke i dhënë FRD për zyra katin e tretë të godinës, me sipërfaqe 500 m2.