21 vjet pas piramidave, “Sudja” mbyll detyrimet me kreditorët

8 Gusht 2018, 13:29

Gjykata e Tiranës ka shpallur zyrtarisht të mbyllur detyrimet e Maksude Kadënës, organizatores së firmës piramidale financiare “Sude”, ndaj shtetit dhe kreditorëve privatë të saj. 21 vjet pas shpërthimit të flluskës së piramidave dhe pas burgut të bërë nga Sudja në përputhje me dënimin penal, tanimë përfundoi edhe falimenti i kësaj piramide, me vendimin civil të gjykatës, e cila ka vendosur edhe kompensimin e kreditorëve të fundit të pranuar nga shteti.

Vendimi

Vendimi është marrë më 1 qershor të këtij viti, por është zbardhur dhe publikuar vetëm ditën e djeshme në faqen zyrtare online të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai është marrë nga gjyqtarja Antonela Prendi, pas kërkesës së Administratores së Falimentit Mimoza Çibuku, të caktuar nga ministria e Drejtësisë, për mbylljen e procedurave të falimentimit të subjektit “Sude”. Kërkesa për falimentin e kësaj piramide është pranuar nga gjykata në vitin 2013 dhe procesi ka zgjatur pesë vjet.

Procesi

Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 325, datë 22.08.1997, subjekti huamarres “Sude“ është shpallur subjekt kontrolli financiar dhe administrimi, referuar dispozitave të ligjit “Për kontrollin financiar të personave juridikë jobankare që kanë marrë hua nga publiku i gjerë“, i vitit 1997, që hapi rrugën ligjore për likuidimin e piramidave.