22 emigrantë karantinuar në hotel në Gjirokastër: 200 lekë sufllaqja, s'kemi më kursime! Rron robi me një bukë 5 ditë?!

17 Prill 2020, 17:16

22 shqiptarë të karaninuar brenda një hoteli në Gjirokastër pasi kanë ardhur nga jashtë kufirit gjatë periudhës së pandemisë, kërkojnë ndihmë nga shteti për t'u ushqyer ose për ta vijuar vetëizolimin në shtëpitë e tyre.

Ata thonë për Report Tv se e kanë firmosur dokumentin në kufi ku pranojnë të qëndrojnë në hotel me shpenzimet e tyre, por tashmë u kanë mbaruar lekët dhe nuk kanë mundësi për të blerë për të ngrënë. Sipas deklarimeve të tyre, shqiptarëve të ardhur u janë marrë tamponët dhe analizat i kanë dalë negativ për COVID-19, megjithatë siç rregullat përcaktojnë karantinimi duhet të vijojë për të paktën 14 ditë. Në një komunikim telefonik me gazetaren Aida Tancica, ata thonë se janë mbledhur të gjithë në korridorin e hotelit ndërkohë që në hyrje të hotelit qëndron ushtria. Siç edhe kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët, të gjithë shqiptarët që ndodhen jashtë kufirit dhe kanë arsye emergjente për t'u kthyer në atdhe, duhet të qëndrojnë 14 ditë në një hotel që caktohet nga shteti, dhe të paguajnë vet çdo shpenzim.