5% e të prekurve në COVID-19 në Shqipëri kanë humbur jetën, 56% janë shëruar! 22 raste të reja sot

20 Prill 2020, 11:07 | Përditesimi i fundit: 2020-04-20 14:36:41

TIRANË- 5% e të prekurve në COVID-19 në Shqipëri kanë humbur jetën, shifër kjo e bërë e ditur nga ministria e Shëndetësisë në buletinin ditor. Në 24 orët e fundit, nga 233 testime të bëra janë konfirmuar pozitiv 22 qytetarë, duke çuar në total numrin e të prekurve në 584, ndërkohë që i janë shtuar listës së të shëruarve edhe 13 të tjerë.

Përkthyer në shifra bilanci i koronavirusit në Shqipëri, 56% janë të shëruar, 7 të hospitalizuar, pra të shtruar në 2 spitalet COVID-19, 32% të vetëizoluar në shtëpi, 5% vdekje, të dhëna këto të cilat sipas Përfaqësueses së Institutit të Shëndetit Publik, (ISHP), Eugena Tomini janë tregues i një epidemie të butë në vendin tonë.Nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja. Report Tv mëson se të prekurit nga Kruja dhe Kurbini janë punonjës të biznesit fason, fabrikë këpucësh që ka shpërthyer si vatër me dhjetra të prekur.  Edhe në 24 orët e fundit, përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.