24 orë ujë në Sukth, Balluku: E jashtëzakonshme, 150 litra çdo ditë për secilin banor

23 Qershor 2019, 16:03

Njësia administrative e Sukthit në Bashkinë e Durrësit do të ketë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Ka përfunduar faza e parë e investimit nga AKUM, fazë e cila furnizon 24 orë me ujë të pijshëm afro 2200 banorë si dhe mbi 100 subjekte private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë zonë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës dhe Mbetjeve, Alqi Bllako si dhe kandidatja e PS për Bashkinë Durrës, Valbona Sako inspektuan përfundimin e fazës së parë të projektit.

Drejtori Bllako teksa bëri të ditur detaje të këtij investimi dhe se pas vendosjes në funksion të linjës tjetër të furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit nga Fushë-Miloti, linja e Fushë-Kuqes do të mund të sigurojë më shumë sasi uji jo vetëm për zonën e Sukthit por dhe zona të tjera të Bashkisë së Durrësit.

“Falë këtij investimi i cili do të rinovojë tërësisht rrjetin e brendshëm të furnizimit për zonën nga lagjja 6 deri në lagjen 2 Vardardhë, do të ketë impakt pozitiv të drejtpërdrejtë për 2200 banorë dhe 100 biznese të kësaj zone. Lajm i mirë dhe lajmit tjetër pozitiv është se pas vendosjes në funksion të linjës së re të furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit nga Fushë-Miloti, linja e Fushë-Kuqes do të mund të sigurojë më shumë sasi uji jo vetëm për zonën e Sukthit por dhe zona të tjera të Bashkisë së Durrësit siç është Ishmi, Manza apo Shijaku”, u shpreh Bllako.