25 prilli, Xhafaj: Jam pjesë e betejës së PS, e vetmja alternativë e mirë qeverisëse

23 Prill 2021, 08:40 | Përditesimi i fundit: 2021-04-23 08:45:37

Fatmir Xhafaj thotë se ngjarjet e tensionit që kanë ndodhur ditëve të fundit i kanë konfirmuar shqiptarëve se PS është e vetmja alternativë e mirë qeverisëse. Ai garantoi se ka bërë gjithçka që PS të fitojë.

"Unë jam pjesë e ekipit të PS dhe jam pjesë e betejës që po bën Partia Socialiste. Dëshiroj dhe punoj çdo ditë për fitoren e PS me bindjen e plotë se është alternativa më e mirë qeverisëse. Dhe ngjarjet e fundit e kanë konfirmuar këtë, dhe e kanë bërë më të lehtë zgjedhjen e qytetarëve në këtë garë. Unë besoj se e kanë më të lehtë të zgjedhin atë forcë politike që i garanton qetësi, zhvillim dhe shikim nga e ardhmja, gjë që e garanton Partia Socialiste. Ka një kombinim të shkëlqyer të eksperiencës dhe të energjive", tha ai.