27 vite nga vrasja e Falcones/ Sandër Simoni në ReportTv: Krimi kërcënon gjyqtarë e prokurorë

23 Maj 2019, 17:00

"Falcone ishte profesionisti që krijoi e ideoi struktura anti-mafioze dhe legjislacione të veçantë të cilët më pas u morën ngë vende të ndryshme të kontinentit"

Pesë ditë pasi kishte festuar datëlindjen, 23 majin e vitit 1992 gjyqtari hetuesi Giovani Falcone do të ekzekutohej nga një atentat mafioz rrugës drejt Palermos.

Por çfarë përfaqëson Falcone sot, si shihet ai nga hetuesit shqiptar dhe a ndjehen ata të rrezikuar nga krimi?

Në një intervistë për Report TV kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda Sandër Simoni thotë se ka disa gjyqtarë e prokuror në Shqipëri që ndihen të rrezikuar nga krimi dhe janë nën ruajtjen e shteti dhe se krimi këtë periudhë është bërë më agresiv.

"Ka gjyqtarë të cilët janë nën ruajtjen e posaçme, në skemën e posaçme. Kjo do të thotë që e për gjyqtarët shqiptarë ekziston rreziku i kërcënimit për jetën, pronën e familjen", shprehet Simoni.

Duke kujtuar se në vitin e vrasjes së Falcones nga Mafia, Simoni ishte student i magjistraturës ai ndalet tek situata ku ndodhen drejtësia shqiptare, për të duhet që shoqëria të mos braktis gjyqtarët.

"Nëse s'kemi një vullnet të shoqërisë shqiptare për tu distancuar nga krimi dhe vazhdojmë ti stigmatizojmë gjyqtarët, prokurorët, nqs i anatemojmë ata e sillemi si histeri kolektive ndaj tyre. Në qoftë se nuk vlerësojmë ata që i kanë rezistuar tundimit për tu përfshirë në korrupsion, nqs nuk vlerësojmë meritën e profesionalizmin e tyre dhe ne si shoqëri dalëngadalë vrasim kurajon profesionale të tyre", thotë Simoni.

Gjykata e krimeve të rënda e cila drejtohet prej Simonit është krijuar në 2004 dhe qëllimi i saj ka qenë lufta ndaj krimit të organizuar, bandave të vitit 1997, trafikut të qenieve njerzore, drogës e akteve dhe grupeve terroriste.

Në këtë gjykatë prej më shumë se një dekade janë dhënë mbi dhjetëra dënime me burgim të përjetshëm, ndërsa thuajse të gjithë gjyqtarët e kësaj godine janë kërcënuar përgjatë detyrës qoftë drejtpërdrejtë ashtu edhe tek familjarët.