28 vajza nga Kosova me emrin Vlora vizitojnë qytetin bregdetar, mes tyre edhe një foshnjë gjashtë muajshe

7 Tetor 2018, 12:47

VLORË- Plot 28 vajza me emrin Vlora kanë vizituar ditën e djeshme qytetin e pavarësisë, emrin e të cilit ato mbajnë, ku më e vogla është vetëm gjashtë muajsh.

Vajzat gjatë vizitës kanë vizituar sheshin e Flamurit, fshatin Kaninë, por edhe te tjera ambjente të qytetit. Gjithashtu vajzat kanë bërë homazhe edhe në varrin e Ismail Qemalit, duke vendosur kurora me lule. Por jo pa qëllim janë zgjedhur pikërisht 28 vajza me emrin Vlora, numri është simbolikë për 28 nëntorin, ditën kur festohet Pavarësia e vendit.

Gjatë vizitës në qytetin bregdetar, 28 vajzat kanë qënë të shoqëruara edhe nga ambasadori i Shqiperisë në Kosovë, Qemal Minxozi.

Vizita të tilla janë bërë traditë nga vajzat nga Kosova me emrin Saranda, të cilat çdo vit vizitojnë qytetin të cilit i kanë marë edhe emrin.