3 orë protestë e dhunshme/ Militantët breshëri kapsollësh drejt policisë

3 Qershor 2019, 12:57

Nisi me lëshimin në qiell të disa tollumbaceve të bardha me shkrimin "Rama ik", por përfundoi në një skenar të organizuar dhune kundër policisë me shpërthime në breshëri të mjeteve piroteknike me të cilat shënjestruan forcat e uniformave blu vendosur për garantimin e sigurisë tek Kryeministria dhe Parlamenti. Protesta e shtatë kombëtare e opozitës joparlamentare kundër qeverisë u mbyll me dhunë!

Protesta nisi në 19:00 dhe u përmbyll në orën 22:00 me një fjalim në selinë blu të liderit demokrat Lulzim Basha i cili paralajmëroi një protestë të radhës më 8 qershor edhe më të dhunshme, nëse kryeministri Edi Rama nuk largohet nga pushteti për t'i hapur rrugë zgjedhjeve të parakoshme. 

"Ne nuk do të hedhim asnjë hap pas, e sotmja është dita e fundit që unë i drejtohem me forcën e argumenteve pasi fjalët po mbarojnë. Në protestën e ardhshme nuk do të ketë më fjalë. Largohu, ose ndryshe ndjeja zërin popullit në protestën e ardhshme", tha Basha, ku pas një mbledhje në PD pas proteste u vendos që tubimi i radhës të mbahet më 8 qershor.

Nën udhëheqjen e liderit demorkat Lulzim Basha, ish kryeministrit Sali Berisha dhe ish-deputetëve të PD-së dhe LSI-së, pa praninë e Monika Kryemadhit, tubimi nisi tek kryeministria dhe më tej u zhvendos tek Parlamenti. Në të dyja institucionet militantët lëshuan breshëri kapsollësh në drejtim të policisë, duke lanë të plagosur 10 efektivë dhe 3 protestues. Njëri prej protestuesve pësoi lëndime të rënda në këmbë pasi u godit nga vetë protestuesit me një mjet shpërthyes.

Pas më shumë se dy orësh nga protesta, rreth orës 21:30, Policia e Shtetit u detyrua të hedhë gazin lotsjellës tek Parlamenti, pasi militantët nisën të sulmojnë në mënyrë të organizuar efektivët duke i shpërthyer kapsollët dhe fishekzjarrët në drejtim direkt ndaj policisë, duke i shënjestruar si të kishin armë. Përdorimi i gazit lotjsellës erdhi pas shpërfilljes nga organizatorët, të thirrjes që Policia bëri për vetëpërmbajte, që ndryshe nga protestat e tjera, këtë radhë ju drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë Lulzim Bashës.

    No videos found.