3 risitë për patentat/ Nga nesër kartoni do tërhiqet për 30 minuta

14 Gusht 2019, 19:38

TIRANË- Duke nisur nga dita e nesërme, 15 gusht, do të lehtësohet procesi i marrjes së kartonit të leje drejtimit të makinave. Tashmë pas mbarimit të procedurave të provimit të teorisë dhe praktikës, në momentin e aplikimit për kartonin e patentës, qytetarët do të marrin lejen e drejtimit në dorë për 30 minuta.

Njoftimi është bërë për Report Tv nga zv/drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Endri Haxhiu.

"Një risi dhe një lajm i mirë që qytetarët është edhe tërheqja e kartonit në vetëm 30 minuta. Duke pasur parasysh se deri në nëntor të vitit 2018 duhej 15 ditë minimumi, kjo është një risi fantastike dhe i lehtëson jetën qytetarëve. Ky projekt do të aplikohet për herë të parë në Tiranë dhe do të shtrihet në gjitha drejtoritë e tjera rajonale në të gjithë Shqipërinë. Në Tiranë, për faktin se 45% e drejtuesve të mjeteve ndodhen në Tiranë dhe çka është më e rëndësishmja, kjo procedurë do të jetë pa tarifë ekstra", u shpreh për Report Tv Haxhiu.

Ndërkohë për bashkombasit tanë që jetojnë në Itali, prej datës 8 shtator do të njihet leja e drejtimit të lëshuar prej vitit 2017, kjo falë marrëveshjes mes dy qeverive asaj shqiptare dhe italiane. Kjo marrëveshje pritet te realizohet dhe me vende të tjera si Greqia e Serbia.