3 viktima në një ditë, Policia e Dibrës thirrje shoferëve: Kujdes me përdorimin e alkolit

4 Gusht 2018, 17:23 | Përditesimi i fundit: 2018-08-04 18:23:06

Tre viktima u shkaktuan si pasojë e tre aksidenteve të ndryshme dy ditë më parë në Bulqizë e Dibër. I pari ndodhi në një nga rrugët e galerive të kromit në Krastë të Martaneshit, ku si pasojë e daljes nga rruga të automjetit tip “Land Rover” humbi jetën një 60 vjeçar.

Pasditën e së enjtes si pasojë e reshjeve të shumta të shiut një mjet goditi një këmbësor rreth 50 vjeç në fshatin Grezhdan, i cili edhe pse u dërgua në spital nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Pak minuta nga aksidenti i Grezhdanit një tjetër aksident u shënua në fshatin Vojnik në hyrje të Maqellarës, ku një mjet tip fugon pasagjeresh përplasi një 70 vjeçar, i cili humbi jetën në vend.

Duke marrë shkas nga këto tre ngjarje të rënda brenda një dite, Policia e Dibrës prej dy ditësh të ka zhvendosur të gjitha shërbimet e policisë rrugore në aksin nacional Peshkopi - Bulqizë për sensibilizimin e drejtuesve të automjeteve dhe të këmbësorëve për t'u treguar të kujdesshëm gjatë përdorimit të rrugës.

Duke u nisur nga ngjarjet e fundit të ndodhur në territorin e qarkut Dibër, ku ndodhën 3 aksidente me pasojë, policia e Dibrës iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të sensibilizohen dhe të  respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve të sensibilizohen për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, mospërdorimi i celularit në timon ruan jetën tuaj dhe të tjerëve, rripi i sigurimit gjithashtu , parakalimet e rrezikshme dhe të gabuara rrezikojnë jetën tuaj dhe të tjerëve.-