3 vjet hetime me Greqinë, shkatërrohen 4 banda: Fara kanabisi nga Holanda, kultivimi në laboratorë në Shqipëri, trafikimi në BE

12 Shtator 2019, 17:17 | Përditesimi i fundit: 2019-09-12 18:12:37

TIRANE - Është përmbyllur me 65 urdhër-arreste një hetim tre vjeçar që çoi në shkatërrimin e katër grupeve kriminale të trafikut të kokainës dhe kanabisit që përpunohej në vendin tonë dhe trafikohej në Greqi, Turqi dhe vende të BE-së. Hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke, u finalizua me operacionin e fundit policor "Limit" me përfshirjen e rreth 300 efektivëve në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë), ku ditën e sotme u arrestuan 17 persona, ndërsa 6 të tjerë janë aktualisht në burg, të arrestuar më herët, ndërkohë 8 janë në kërkim. Pra në Shqipëri të arrestuar 31 persona në total, 34 arrestime janë bërë në Greqi.

Në një deklaratë për median, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe prokurori i çështjes, Valdimir Mara, dhanë detajet.

Hetimet të shtrira në një periudhë 3-vjeçare (2016-2019) kanë zbuluar edhe skemën si funksionin këto grupe kriminale. Në Holandë sigurohej fara e kanabisit, më tej kalonte tranzit në Greqi, dhe me ardhjen në Shqipëri bëhej edhe përpunimi në laboratorë të posaçme për kultivimin e lëndëve narkotike. Më tej, droga trafikohej në Greqi, Turqi dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Së fundi, këtyre grupeve kriminale i është sekuestruar rreth 120 kg kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.

Ndërkohë, policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë.

Hetimet do të ndiqen nga Prokuroria për Krime të Rënda për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,  “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Konkretisht u arrestuan:

S.N., 40 vjeç, banues në Tiranë; Bilbil Shqalqi, 46 vjeç, banues në Mirditë ; A. P. alias Arber Brahimi, 38 vjeç, banues në Korçë; E. S., 35 vjeç, banues në Korçë; K. Ç., 34 vjeç, banues në Korçë; Gj.Ç., 63 vjeç, banues në Korçë; B. Z, 55 vjeç, banues në Ersekë; Gj. M., 32 vjeç banues në Korçë; R. T., 32 vjeç, banues në Ersekë; E. H., 33 vjeç, banues në Korçë; E. M., 26 vjeç, banues në Korçë; F. Ç. alias f. B., 35 vjeç, banues në Pogradec; Edi Balla, 42 vjeç, banues në Tepelenë; E.H., 34 vjeç, banues në Fier;  A. B., 25 vjeç, banues në Tepelenë; V. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë; F.D., 56 vjeç, banues në Tepelenë; Agron Manka, 35 vjeç, banues në Këlcyrë; B. V., 33 vjeç, banues në Sarandë; A. C., 50 vjeç, banues në Durrës; E. K., 37 vjeç, banues në Durrës; E. J., 38 vjeç, banues në Ersekë dhe B. Z., 27 vjeç, banues në Ersekë.