30 ditë protesta anti-qeveritare në Bullgari, kërkojnë dorëheqjen e Borissov: E korruptuar!

8 Gusht 2020, 20:01

Për 30 ditë radhazi  qytetarët bullgarë vazhduan protestat antiqeveritare. Rreth 5,000 demonstrues u mblodhën në qendër të kryeqytetit bullgar pavarësisht nga shiu duke bërtitur "Mafia!" dhe duke i bërë thirrje qeverisë së kryeministrit Boyko Borissov të japë dorëheqjen. Tubimet u zhvilluan në pesë qytete të tjera, përfshirë Varna dhe Plovdiv.

Gjatë tubimeve u bllokuan edhe disa nga kryqëzimet kryesore të qytetit duke shkaktuar bllokimin e trafikut.  Në përfundim të protestës policia deklaroi se kishte arrestuar 12 persona.  Gjatë muajit të kaluar, mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta çdo mbrëmje duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Boïko Borissov, i cili  ka qeverisur vendin që nga viti 2009. Protestat janë zhvilluar gjithashtu kundër kryeprokurorit Ivan Geshev, pasi oficerë të armatosur rëndë kanë sulmuar më 7 korrik zyrat e Presidentit Rumen Radev, një kritik i zëshëm i partisë në pushtet.