30 vite nga eksodi shqiptarëve, Meta, Rama e Basha për 2 korrikun 1990: Këtu kuptojmë çmimin e lirisë

2 Korrik 2020, 12:05

30 vjetori i hapjes së dyerve të ambasadës gjermane për shqiptarët, ka bashkuar liderët politikë në vend, të cilët njëzëri e kanë konsideruar një ngjarje të rëndësishme të shpresës së shqiptarëve për liri.

Kryeministri Rama ka sjellë në kujtesë me anë të një videoje, atë që ai e konsideron një ngjarje historike për të kuptuar çmimin e lirisë.

30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë”, shkruan Rama.

Edhe kreu i shtetit e ka konsideruar 2 korrikun e vitit 1990, goditje për diktaturën komuniste më të egrën në Europë.  Ilir Meta e ka shfrytëzuar këtë ditë edhe për t'i dhënë një mesazh palëve politike për të punuar dhe bërë realitet ëndrrën europiane te shqiptareve.

Kjo foto është shkrepur 30 vjet më parë brenda Ambasadës gjermane në Tiranë, ku rreth 3200 shqiptarë nisën një jetë të re në liri. Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Europë. 30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane. Presidenca gjermane e BE është një mundësi e shkëlqyer, dhe një sprovë e vërtetë për çdokënd që për Shqipërinë Europiane jo vetëm flet por edhe punon. Mirënjohje të gjithë shqiptarëve që me guximin e tyre 30 vite më parë i dhanë Shqipërisë një drejtim të ri. Koha për të përmbushur ëndrrën e çdo qytetari: Shqipëria si gjithë Europa. Koha për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre", shkruan Meta.Kurse kryedemokrati Basha rikujton si arritje, liberalizimin e vizave, në kohën kur ai ishte Ministër i Brendshëm.