30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, Kim: Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne! Basha: Bashkë që dekada e re të jetë e konsolidimit të demokracisë

15 Mars 2021, 15:17 | Përditesimi i fundit: 2021-03-15 18:36:54

Sot shënohen 30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis ShBA dhe Shqipërisë. Më 15 mars 1991 pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.

Ambasada e SHBA në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si i ngarkuar me punë dhe i pasuar nga ambasadori i SHBA Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Më 11 qershor 1991, ish-Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA, që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë përparuar e janë rritur.

Për 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis ShBA dhe Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar letër Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Nancy Pelosi, së cilës i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë.

Në këtë ditë të rëndësishme për dy vendet edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim ka shprehur urimet e saja, duke kujtuar një deklaratë të të sekretarit të SHBA-së Baker kur ka vizituar Shqipërinë në 1991 “ Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, të cilën e ka mbështetur.

Ministrja e Jashtme ka uruar gjithashtu 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, teksa theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve ka ndikuar veçanërisht në transformimin e Shqipërisë.

Nuk ka munguar as urimi i kryedemokratit Lulzim Basa i cili shprehu mirënjohjen ndaj SHBA dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë.