32-vjetori e varjes nga regjimi komunist i poetit kuksian Havzi Nela bashkëshortja kërkon drejtësi

10 Gusht 2020, 10:39 | Përditesimi i fundit: 2020-08-10 13:31:53

Në 32-vjetorin e varjes së poetit disident Havzi Nela, bashkëshortja e tij, Lavdie Nela vendos lule me lot në sy në bustin e martirit të demokracisë, ngritur në qytetin e Kukësit pranë gjimnazit të qytetit që mban emrin e tij.

Ajo kërkon hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e plotë të saj. Lavdije Nela thotë se përgjatë gjithë kësaj periudhe asnjë institucion drejtësie dhe qeverie nuk ka bërë asgjë për të zbardhur dhe çuar para drejtësisë urdhëruesit e varjes së poetit.

Më vrau shpirtin, më plagosi zemrën, më nxiu jetën, më prishi lumturinë, më preu ëndrrën, më prishi shpresën, më tmerroi rininë sepse populli i Kukësit meriton të jetojë në liri se sot diktatura është në të gjitha qytetet e Shqipërisë si në vitin '67 kur u arratisëm", tha ajo.

Ishte data 10 gusht 1988, ora 02:00 të mëngjesit kur ai mbylli sytë përgjithmonë pasi u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit, pas miratimit përfundimtar i dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar nga Ramiz Alia. Havzi Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh  në kampet famëkeqe të komunizmit, u mbyll në burgjet e Burrelit dhe Spaçit e me pas ne 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit me akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut. Poeti ka qenë gjithmonë kundër diktaturës dhe nuk u pajtua kurrë me rregullat komuniste. Përmes vargjeve prekëse ai gjithmonë shprehte mllefin që ndjente nga regjimi monstruoz dhe ndjenjën për lirinë që nuk e provoi kurrë.

Më 22 maj të 1967-ës ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua dhe gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Më pas iu shtuan edhe tetë vite në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit. Ai u la i lirë për një kohë të shkurtër, por më 12 tetor të vitit 1987 ai u arrestua dhe internua në fshatin Arrën. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje.