Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas sekuestrimit të rreth 3.4 milionë euro në dy automjete të mbërritur me një trajler në Portin e Durrësit nga Gjermania, pasditen e djeshme.
Policia saktëson se ka marrë informacione lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani, në ora 17.00 të datës 21 qershor, pra 5 orë pas dekonspirimit të këtij informacioni tepër sekret nga ana e Lulzim Bashës në Kuvend:
Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani. Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.
Deklarata e Policisë së Shtetit
Policia sqaron se bëhet fjalë për sekuestrimin e 3.366.800 euro, gjithashtu janë sekuestruar 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe 80,000 franga zvicerane.
Policia thotë se janë arrestuar 4 persona ndërsa janë shpallur në kërkim dy të rinj nga Peshkopia por me banim në Tiranë të cilët dyshohet se ishin porositësit e ngarkesës së sekuestruar e cila ishte nisur nga Gjermania, përmes linjës së trageteve Ancona-Bari.