34-vjeçari shpërthen portën e policisë dhe i kërcënon me pistoletën me gaz, arrestohet

2 Qershor 2020, 12:23

ELBASAN- Panik në Komisariatin e Elbasanit. Një 34-vjeçar pasi ka goditur një automjet në rrugë, ka shkatërruar derën e komisariatit dhe ka kërcënuar me pistoletë me gaz policët.

Bëhet fjalë për 34 vjeçarin e identifikuar si Bledar Lazareni. Mësohet se Lazareni, pasi ka hyrë në oborr, ka dalë nga mjeti i tij tip “Toyota” me një pistoletë me gaz në dorë, duke bërë lëvizje të pakontrolluara. Pavarësisht thirrjeve të policisë, 34-vjeçari nuk u është bindur urdhrit të efektivëve duke bërë që ata të ndërhyjnë dhe ta neutralizojnë disa minuta më vonë. 

Referuar policisë, 34-vjeçari ishte në gjendje të rënduar psikologjike.

"Rreth orës 11:00, shtetasi B. L., 34 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet në gjendje të rënduar psikologjike, duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, ka goditur portën hyrëse të DVP Elbasan dhe ka hyrë në oborrin e DVP-së, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar të dhënë nga punonjësi i Policisë që kryente shërbim në hyrje të DVP-së. Ky shtetas, pasi ka hyrë në oborr, ka dalë nga mjeti me një pistoletë me gaz në dorë, duke bërë lëvizje të pakontrolluara, por është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga shërbimet e Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimit dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njofton policia.