4 milion euro për 'Lungomare 2', kryebashkiaku i Vlorës zbulon detajet e projektit

4 Tetor 2019, 17:15

VLORË- Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli bëri publik projektin e  “Lungomare 2” për të cilin është parashikuar një fond prej 4 milion euro.  Me një gjatësi 1.3 km projekti  i cili është zgjatim i shëtitores “Lungomare 1”  përveç hapësirave publike dedikuar qytetarëve, sipas Lelit do t'i japë zgjidhje edhe problematikës së parkimeve në këtë qytet me ndërtimin e një parkingu dy katësh nëntokësor, i cili parashikon 160 vende.

"Projekti që sapo kemi filluar, nga zona e tunelit në drejtim të Radhimës, janë vazhdim i ndryshimit rrënjësor të faqes turistike të Vlorës. Do të ketë një pishinë olimpike me ujë deti për qytetarët, një pishinë për fëmijët dhe një parkim me 160 vende, për të cilin kemi vendosur në dispozicion një pjesë te buxhetit për të zgjidhur atë që ka qenë kontestimi më i madh i qytetarëve dhe vizitoreve, mangësia e vendeve të parkimit në territor. Do të ketë edhe një korsi të dedikuar për biçikletat për 3 km. Do të ketë edhe një rrugë kalimi për këmbësorët nga Vlora në Orikum pa ndërprerje. Fondi ka qenë i vlerës 3 milion euro por me shtimin e parkingut kemi shtuar edhe 1 milion euro i cili është kontribut i Bashkisë", tha Leli.

Ndërkohë duke folur mbi aksionin e IKMT-së që shtrihet nga Orikumi në Radhimë, i shoqëruar edhe me përplasje, Leli tha se ai nuk është aspak selektiv, ndërsa objektet që janë parashikuar për t'u shembur sipas tij janë ndërtime të paligjshme.

"Objektet që janë duke u prishur nga Vlora deri në Orikum janë të gjitha pa leje. Nuk po cenohet asnjë objekt i pajisur me leje. Objektet me leje, do t’i nënshtrohen procedurave ligjore, ashtu si ligji parashikon", tha Leli.   

“Lungomare 2” do të shtrihet nga zona e tunelit deri në afërsi të Rradhimës.