40 në garë për BKH! Nga policë, ish-drejtues e deri tek kreu i Burgjeve...mes tyre edhe 7 gra

31 Janar 2020, 16:14 | Përditesimi: 31 Janar 2020, 16:14

Nga drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, tek drejtori i Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Policinë e Shtetit, Ardian Çipa dhe kreu i Kufirit, Eduart Merkaj i cili pak ditë më parë u certifikua nga vettingu, janë emrat e listës së gjatë me 40 kandidatë që kanë aplikuar për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit.

Në këtë listë me 40 emra shtatë janë gra, ndërsa ka edhe ish drejtues policie si dhe hetues ,mes tyre Ylli Pjetrnikaj drejtues i komanduar i Prokurorisë Shkodër. Në këtë listë është edhe kreu i Task-Forcës "Forca e Ligjit" në Policinë e Shtetit, Artan Shkëmbi, si dhe ish kryepolici i Rrugores gjatë qeverisjes së djathtë Krenar Ahmeti si dhe numri dy i Policisë së Shtetit Aida Veizaj (Hanaj).

Një tjetër emër që spikat në listën e gjatë është edhe Artur Beu Oficeri i Kontaktit në Ambasadën Shqiptare në Romë i cili ka një karrierë të gjatë në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe grupeve kriminale që aktivitetin e tyre e kanë jashtë Shqipërisë dhe investojnë asetet këtu. Ai është  edhe koordinator i  projekteve të ndryshme të BE për hetimet transnacionale si IPA, SANCAS
dhe mban titullin doktor shkencash.

Aplikimet për pozicionin e Drejtorit të BKH-së janë mbyllur, bën me dije kreu i SPAK, Arben Kraja ndërsa shton në njoftimin e tij se "Kam kënaqësinë t’ju informoj që në total kanë aplikuar 40 persona, nga të cilët 7 janë femra. Komisioni i Përzgjedhjes do të fillojë menjëherë procesin e vlerësimit për çdo aplikant për të identifikuar ata që plotësojnë ose jo kriteret ligjore  sipas Ligjit për SPAK-un (Ligji  Nr.95/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”). 

Kjo listë me 40 kandidime mes tyre edhe nga jashtë vendit pritet të reduktohet ditën e hënë më 3 shkurt 2020 pasi do të bëhet filtri i pari kush plotëson apo jo kushtet ligjore.
Një ditë më parë në zyrën e kreut të SPAK ishte ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila pati një takim edhe me prokurorët e SPAK dhe kërkoi nga ta kryejnë hetime si dhe premtoi mbështetje për BKH, pjesë e të cilës është dhe trajnimi i 60 oficerëve shqiptarë në SHBA.

r.k./Shqiptarja.com