Për një tokë shtetërore që Petroleum Albania mori me qira pagoi 400 fish më shumë nga vlera reale e ofertës. Për pasojë më shumë se 140 milionë lekë përllogaritet dëmi në kompani nga projekti për zgjerimin e sipërfaqes me qellim investimi në vitin 2015. Dyshohet se ish-drejtori i Përgjithshëm i Bankers, Leonidha Çobo si dhe ish-Menaxheri i Tokave, Genci Voja, mbështeten skemën për këtë abuzim, të dy këta individë janë aktualisht paditur për abuzim me detyrën në kuadër të grupit të strukturuar në Prokurorinë e Posacme për Korrupsion. Cobo dhe Voja në bashkëpunim me të tjerë persona lidhje miqësore, dyshohet se në korrik 2015, ngritën kompaninë “Adriatik 2015” me qëllim përfitimi të fondeve të Bankers. Katër muaj më vonë, në dhjetor, kjo kompani përfitoi kontratë qiramarrjeje me Bankers 400 lekë/ m2 nga toka shtetërore të cilën e kishte marrë me ofertë publike për vetëm 2.8 lekë/m2 nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Turizmit
Si u ndërtua skema
Në 3 korrik 2015, “Adriatik 2015” me 6 aksionerë rregjistrohet në Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit të bizneseve. Në 2 dhjetor të të njëjtit vit kompania lidh kontratë qiraje për një sipërfaqe toke në zonën më të rendësishme në fushën naftënzjerrëse të Patos Marinz, me Drejtorinë e Administrimit të Pronësisë Publike, që menaxhon pronat shtetërore. Dhe vetëm një javë më pas, për këtë tokë që tashmë ishte nën menaxhimin e subjektit privat Adriatik 2015 lidh kontratë qiradhënie me Bankers. Toka shtrihej në 12 sheshe të ndryshme të pusesh të ngritura nga Bankers Petroleum Albania si dhe në Njësinë Qendrore të Trajtimit të naftës (CTF), që është në fakt edhe ‘zemra’ e operacioneve të kompanisë. Investimi për zgjerimin e CTF-së është një nga më të rëndësishmit e ndërmarrë nga kompania naftënxjerrëse dhe si për ironi të fatit, zgjerimi i saj u krye pikërisht njëherësh me hartimin e ‘kontratës së re’ së qiramarrjes. Çmimi që “Adriatik 2015” mori tokën me qira nga shteti ishte 504,000 lekë në vit për 178,300 m2 dhe u dha me nënqira tek Bankers për 400 lekë / m2 me një çmim total 71,320,000 lekë që do të thotë një ndryshim prej 70,816,000 lekë si humbje për Bankers dhe shtetin nëse kjo e fundit do të kishte me qira sipërfaqen direkt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Turizmit. Me një diferencë 400-fish më të shtrenjtë, aksionerët e “Adriatik 2015” të ndihmuar nga dy ish drejtues të Bankers, Çobo dhe Voja, përfituan deri në vitin 2017, kohë kur truallit i doli edhe pronari, rreth 142 milionë lekë kurse shteti mori vetëm 1 milionë lekë.