44 ditë karantinim, studenti tregon ditarin e tij sekret

24 Prill 2020, 19:27

Mes frikës, humbjeve të jetëve, izolimit edhe dëmit ekonomik, kjo periudhë karantinimi për shkak të pandemisë së COVID-19 ka edhe anë të mira. E megjithatë kjo pandemi na ka dhënë mundësi që të kemi më shumë kohë me familjen, më shumë kohë për të lexuar, por ndoshta edhe për të reflektuar e për të zbuluar ndonjë talent të fshehur që ritimi i jetës së përditshme nuk na e ka lejuar që ta shfaqim. I tillë është edhe rasti i 25-vjeçarit nga Korça Andi Larti, i cili prej më shumë se 1 muaj tashmë i mbyllur në shtëpi ka shfaqur të dhënat e një sensi humori për t’u admiruar. Në rrjetet sociale, aty ku është me lehtë shfaqja e një talenti, Andi ka publikuar nga një fjali të ditarit të tij të karantinës. Me fjali të shkurtra, por edhe mini-dialogje domethenëse Andi ka përshkruar jetën e tij brenda 4 mureve të shtëpisë në këto javë. Në intervistën për Shqiptarja.com, ai na tregoi se ideja i lindi shumë natyrshëm, kur mësoi se izolimi do të ishte një gjendje që do merrte disa javë kohë. Na thotë po ashtu natyrshëm i vijnë edhe fjalitë e ditarit që ai shpërndan për miqtë e tij në facebook.