49 besimtarë të vrarë në xhami, terroristi dëgjonte muzikë ekstremiste serbe, emri Skanderbeg 'gdhendur' në armë

15 Mars 2019, 15:06

Të paktën 49 persona humbën jetën dhe 48 mbetën të plagosur në sulme terroriste të dy xhamive të mbushura me besimtarë në lutjet e së premtes në Christchurch në Zelandën e Re. Një terrorist australian 28-vjeçar hapi zjarr ndaj besimtarëve, dhe u arrestua më tej nga forcat policore, së bashku me tre persona të tjerë, të cilët janë në paraburgim, për tu marrë në pyetje në lidhje me sulmin tragjik, mes të cilëve një grua.

Australiani është identifikuar Brenton Tarrant, 28 vjeçar nga qyteti Grafton në New South Wales të Australisë. Ai u fut i armatosur brenda xhamive dhe nisi të qëllojë me breshëri arme automatike ndaj besimtarëve që i dilnin përpara. Bëri sulmin e parë në xhaminë Masjid Al Noor dhe më tej në një xhami të dytë në Linwood gjithashtu në qytetin e Christchurch. Sipas dëshmitarëve sulmuesi vuri në shënjestër fillimisht dhomën e lutjeve të meshkujve në xhami, pastaj u zhvendos në dhomën e grave. Të pranishëm në momentin e faljes së të premtes besohet se ishin mbi 400 besimtarë.

Pak minuta para sulmit ai hyri Live në Facebook duke shfaqur para mijera ndjekësve krimin e tmerrshëm, përreth 17 minuta. Mjaft gjakftohtë qëllon ndaj besimtarëve që ndodheshin në xhami, duke u siguruar që ata të vdisnin, pasi shihet teksa kthehet sërish në të njëjtën dhomë të xhamisë dhe qëllon me breshëri ndaj besimtarëve të shtrirë. Video është xhiruar nga vetë ai, dhe nga sa u transmetua live, dukej një skenë e tmerrshme loje "Counter-Strike", veçse fatkeqësisht gjithcka ishte reale.  Në videon, që tashmë është fshirë nga rrjetet sociale dhe mediat e huaja për shkak të përmbatjes së rëndë, duket arma automatike teksa drejtonte shënjestrën ndaj personave të rastësishëm që la të vdekur dhe të plagosur.