5 aksidente me 4 viktima në janar-shkurt, Report TV te rruga në Gosë e kthyer në kërcënim për shoferët

31 Mars 2021, 13:12

5 aksidente me 4 viktima dhe 6 të plagosur janë shënuar për periudhën janar-shkurt 2021 në aksin Kavajë-Rrogozhinë, në afërsi të Gosës.

Aksidentet e shpeshta që kanë ndodhur në këtë aks për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet rruga janë kthyer në një shqetësim për shoferët dhe në një kërcënim për jetën e tyre.

Të shumtë kanë qenë ata që kanë denoncuar aksidentet e ndodhura, duke kërkuar që të ndërhyhet për rregullimin e kësaj rruge sa më parë.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka shkuar ditën e sotme vetë në këtë segment rrugor, ku ka konstatuar gropa të shumta përgjatë segmentit.

Përmes disa videove të sjella nga gazetari shihen gropat njëra pas tjetrës. Probleme kanë të dyja akset, ndërsa vetëm në 2 km rrugë, gazetari raporton se janë konstatuar 13 gropa të cekëta.