'5 muaj COVID', të rinjtë përjetojnë më tepër ankth, psikiatria: Shqetësim më të madh 20-28 vjeçarët

15 Gusht 2020, 14:47 | Përditesimi i fundit: 2020-08-15 14:48:55

5 muajt e epidemisë covid-19 kanë krijuar gjendje ankthi tek qytetarët,ku tashmë numri i lartë i të infektuarve rrit shqetësimin se sa potecialisht secili prej nesh mund të jetë i rrezikuar. Mjekja psikiatre Arjana Rreli tregon se çdo ditë e më shumë po hasen raste me ankth tek qytetarët, e më së shumti këtë po e përjetojnë të rinjtë.

Mosha mesatare e kërkesës së ndihmës të paktën për çrregullime të ankthit është ulur shumë, ka qenë 35-40 vjeç, ndërsa tani është 20-28 vjeç. Është mosha që kanë përgjegjshmëri goxha të lartë për çka kërkojnë nga vetja, për çfarë duan të realizojnë”-u shpreh psikiatria

Por si po ndikon stresi edhe te këta qytetarë që preken nga covid-19? Psikiatria tregon se për këta persona ankthi është i dyfish sepse vuajnë dhimbjen fizike nga virusi, por edhe atë emocionale, pa harruar edhe paragjykimet.

“Rritet ankthi dyfish, edhe për faktin që tashmë vuan, pra ka dhimbje fizike por vuan edhe dhimbjen emocionale dhe dhimbjen shpirtërore që mund të infektojë edhe të tjerët rreth e përqark, por edhe stigmën që të ndjehet deri diku i paragjykuar”-tha Arjana Rreli.

Në momentin kur gjendja shëndetësore e një të prekuri me covid rëndohet, atëherë është i nevojshëm hospitalizimi. Larg familjarëve, në një ambient ku dhimbja është primare, këta qytetarë e përjetojnë edhe më rëndë situatën.

“Hospitalizimi është një tjetër shkaktar që i mbivendoset tensionit të personit sepse vet spitali është një institucion ku ke shpresën e fundit për të zgjidhur problemin tënd. Nga ana tjetër aktualisht spitalet kanë një mbingarkesë ku me gjithë dashamirësinë e personelit mjekësor nuk merr dot afeksionin. Një njeri i shtruar pranë teje mund të ankojë shumë më tepër se ti, mund të ketë nevoja shumë më tepër se ti dhe ti vuan bashkë me të ndërkohë që ke dhimbjen tënde”-shpjegoi psikiatria Rreli.