5 vende të lira në GJKKO, por kandidon vetëm një gjyqtar, Bani: Do të bëj drejtësi

24 Gusht 2020, 14:17

TIRANE-Report Tv mëson se pas rishpalljes së garës për të dytën herë për plotësimin e 5 vendeve të lira në Gjykatën për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin ka kandiduar vetëm një gjyqtar. Erion Bani është magjistrati që ka kandiduar pranë KLGJ-së për t'u bërë anëtar i gjykatës kundër krimit e korrupsionit. Në mbledhjen e parë të shtatorit pritet që KLGJ-ja të miratojë kandidaturën e Banit si gjyqtar. Aktualisht Erion Bani gjyqtar pranë dhomës penale Tiranë. Bani është kreu i shoqatës së gjyqtarëve të Shqipërisë.Report Tv ka siguruar letrën e Banit ku shkruan se do të kontribuojë për zbatimin e reformës në drejtësi."Duke marrë në konsideratë eksperiencë time profesionale, dëshirën që kam treguar për t'u rritur profesionalisht, duke qenë kërkues në punën time, përpjekjet për t'u rritur në aspektin akademik, cilësinë më të lartë të integritetit moral dhe profesional, dëshirën për të kontribuuar për vendin në kohën kur reforma në drejtësi është në fazën finale të implementimit dhe bindjen te vokacioni im i brendshëm për të bërë drejtësi, paraqes kandidaturën time për t'u bërë pjesë e gjykatës së posaçme. Gjithashtu, në kushtet kur kjo gjykatë ndodhet përballë mungesës së gjyqtarëve dhe një pjesë kanë paraqitur kandidaturat për t'u ngritur në detyrë kandidimi tim pranë kësaj gjykate e konsideroj si kontribut që duhet të japë cdo gjyqtar që kjo gjykatë të jetë funksionale" shkruan ai. Herën e parë asnjë gjyqtar nuk konkurroi për t'u bërë pjesë e kësaj gjykate.