50 mijë euro për të liruar të dënuarin për vrasje, burg 'juristes' mashtruese

18 Nëntor 2019, 13:28

TIRANE-Gjykata Penale ka lënë në burg pa afat Amarilda Lekën, që u arrestua ditën e premte për mashtrim në vlerën e 50 mijë eurove ndaj një personi. Ajo kishte vetëm pak muaj që kishte lënë burgun për një tjetër rast mashtrimi ku ishte dënuar, ndërsa tashmë rikthehet sërish në qeli, raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta. Por cili është rasti i fundit?

33-vjeçarja akuzohet se ka mashtruar një person me inicialet B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë për të nxjerrë nga burgu një të dënuar.Personi me inicialet A.M., ishte i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në IEVP Bënçë, në Tepelenë. Në vitin 2015 Amerilda Leka ishte arrestuar sërish për një rrethanë të ngjashme.

Amarilda Leka u kishte marrë lekë familjarëve të të burgosurve me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtarët e prokurorët për lirimin e tyre. Në vitin 2015 ajo i mori 25 mijë e 500 euro vëllait të një të arrestuari me premtimin se do të ndikonte tek një gjyqtar për të liruar nga burgu Xhorxh Gjoka të kapur me drogë.

Këto para sipas prokurorisë, ajo i shpenzonte për jetë luksi pasi asgjë nuk ndryshonte nga vendimi i gjyqtarëve. Sipas organit të akuzës Leka nuk ka folur me asnjë gjyqtar por ka marrë eurot dhe ka humbur kontaktet.  Në këtë e pandehura Leka prezantohej si nusja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes.