50 mijë euro për të nxjerrë nga burgu të dënuarin me 30 vjet për vrasje, arrestohet 'juristja' mashtruese e Gjykatës së Lartë

15 Nëntor 2019, 16:09

Një 33-vjeçare ra në prangat e policië për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, pas hetimeve të prokurorisë, e cila hiqet si juriste në Gjykatën e Lartë dhe se përmes njohjeve të saj ndikonte në trupën gjykuese të Apelit për Krime të Rënda dhe të Lartën.

Operacioni policor i koduar "Bënça", i ndjekur prej një viti me metoda proaktive, arrestoi me vendim gjykate 'arerst me burg' dhënë në mungesë më 13 nëntor 2019, 33-vjeçaren Amarilda Leka, lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë.

33-vjeçarja akuzohet se ka mashtruar një person me inicialet B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë për të nxjerrë nga burgu një të dënuar.

Personi me inicialet A.M., ishte i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në IEVP Bënçë, në Tepelenë.

Kjo nuk është hera e parë që Amerilda Leka mashtron njerëzit. Në vitin 2015 ajo është arrestuar sërish për një rrethanë të ngjashme. Amarilda Leka u kishte marrë lekë familjarëve të të burgosurve me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtarët e prokurorët për lirimin e tyre. Në vitin 2015 ajo i mori 25 mijë e 500 euro vëllait të një të arrestuari me premtimin se do të ndikonte tek një gjyqtar për të liruar nga burgu Xhorxh Gjoka të kapur me drogë. Këto para sipas prokurorisë, ajo i shpenzonte për jetë luksi pasi asgjë nuk ndryshonte nga vendimi i gjyqtarëve.
Sipas organit të akuzës Leka nuk ka folur me asnjë gjyqtar por ka marrë eurot dhe ka humbur kontaktet.  Në këtë e pandehura Leka prezantohej si nusja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes.