51 viktima nga tërmeti/ Vdes në spital 20-vjeçarja, i ra një tullë në kokë duke dalë nga pallati në Kombinat...Lutjet përlotëse të babait

30 Nëntor 2019, 13:44

TIRANE- Rëndohet bilanci tragjik i viktimave të tërmetit të 26 nëntorit duke e çuar në 51 numrin e jetëve të humbura. Këtë mesditë u shënua viktima e parë në Tiranë, ku Xhesika Biqiku 20 vjeç ndërroi jetë në Spitalin e Traumës pas një goditje të fortë që kishte marrë në kokë nga një tullë e rënë nga kati i pestë në pallatin ku ajo jetonte, në zonën e Kombinatit në Tiranë. Pas tre ditëve në koma e reja u shua ditën e sotme, ndërsa ishte e pamundur që ajo të transportohej për mjekim të specializuar jashtë vendit siç ndodhi me dy të mbijetuar të tjerë, 17-vjeçarin Ramë Lala dhe Albert Carën nga shembja e pallatit në Thumanë.

Pallati në Kombinat është ndërtuar në vitin 1972, ndërsa i shpëtuan babai, nëna e saj dhe motra tjetër më e madhe. Në një thirrje përlotëse që babai i Xhesikës, Ilia Biqiku bëri dy ditë më parë për Report Tv për trajtimin mjekësor të së bijës në Itali, ai tregoi se vajza u dëmtua kur sapo dilnin nga pallati. Tullat nisën të bien nga kati i pestë, ku të gjithë morën dëmtime, por Xhesikës i ra një tullë në kokë duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në tru. Bashkë me zërin e dridhur dhe lutjet përlotëse për jetën e së bijës, babai rrëqethi kur tha se më mirë të kishte vdekur ai sesa vajza e vogël teksa lëngonte ende në shtratin e spitalit. "Nëse nuk do të isha penguar teksa dilnim, - tha babai - Xhesika do të kishte shpëtuar".