55 vite burg për vrasësit e Marvi Mihalit, prindërit: Gjykatës plehëra

11 Prill 2019, 13:48 | Përditesimi i fundit: 2019-04-11 15:13:46

Gjykata e Tiranës dënoi me 55 vite burg 4 autorët e vrasjes së Marvi Mihalit, duke ndryshuar edhe kualifikimin e veprës penale, nga vrasje me paramendim, në vrasje me dashje. Konkretisht, me 19 vite u dënua Dejvis Bitraj dhe nga 12 vite secili, Eugen Bitraj, Kridens e Marsel Alla.

Kujtojmë se vrasja ndodhi në verën e 2017, pranë stadiumit të Dinamo, në kryeqytet, ku Mihali pas një sherri për karikuesin e telefonit, u godit me thikë nga Dejvis Bitraj dhe mbeti i vrarë në vend. Gjatë procesit, familjarët e Marvit kërkuan dënimin me nga 35 vite burg për secilin, ndërsa vendimin e gjykatës e konsideruar të padrejtë, duke shtuar se do e kërkonin drejtësinë deri në fund.

Pas vendimit prindërit e të riut që u vra u shprehën mjaft të irrituar me drejtësinë. Nëna e Marvi Mihait me lot në sy u shpreh 'Këta gjykatës hoqën paramendimin nga vepra penale dhe lanë vetëm vrasje në bashkëpunim me dashje dhe nuk u bëhet vonë për djalin tim që vdiq. Fatin tim të zi e provofshin gjykatësit në fillim. Kaq kam për të thënë. E provofshin fatin tim të zi te fëmijët e tyre".

Ndërsa i ati, Pavllo Mihali tha se drejtësinë do ta vendosë me cdo kusht me të gjitha mënyrat vetë. "Turp për Sokol Tomën, Tan Gjermenin dhe Besnik Hoxhën. Mallkimi i djalit im u ndjek, o plehra. Si e ndërrojnë kualifikimin e veprës kur faktet janë të pastra. Cfarë është kjo drejtësi?! Padrejtësia e gjykatësve sot lëvizi pllakën e djalit tim, por ne do ta ndjekim me cdo kusht, unë do ta vendos drejtësinë me të gjitha mënyrat. 19 vite Devi Bitrajt që më vrau çunin turp e faqe e zezë" deklaroi ai.