6 mijë euro për të liruar të burgosurin, dalin para gjykatës bashkëshorti i gjyqtares dhe dy të tjerë

12 Shtator 2020, 11:50

TIRANË- Bashkëshorti i gjyqtares Mimoza Margjeka, Arben Cara, dhe dy të dyshuarit e tjerë për korrupsion në Durrës Nejton Bali dhe Klaudio Zhilla kanë dalë këtë të shtunë para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë. report Tv sjell foto nga brenda sallës së gjyqit e cila po zhvillohet nën masat që i dikton COVID-i.

Ata akuzohen se janë bërë pjesë e një skeme korrupsioni prej 6 mijë eurosh për lirimin e të paraburgosurit Orion Bali, ndaj të cilit rëndonte akuza e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Nejton Bali ishte vëllai i të burgosurit, ndërsa Zhilla dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit.

Kanë qenë telefonata e Balit me nënën në përpjekje për të siguruar paratë që zbuloi korrupsionin. Pjesë e skemës korruptive ishin edhe gjyqtarja Mimoza Margjeka dhe avokati Skënder Demiraj. Këto dy të fundit janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa bashkëshorti i saj Arben Cara dekan i fakultetit të Juridikut në Universitetin e Durrësit, i cili mori në dorë lekët dhe dy sekserët Nejton Bali dhe Klaudio Zhilla u vendos "arrest me burg".