Një protestë që shpërtheu në dhunë ishte ajo e opozitës joparlamentare që nisi në orën 18:30 dhe u përmbyll pas mesnate me sulmin me bomba molotv, fishekzjarrë e sende të forta ndaj 4 institucioneve, Kryeministrisë, Kryeisë së Kuvendit, Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë. Protesta u mbyll në orën 01:30 të mëngjesit të së dielës, ku lideri i Partisë Demokratike lajmëroi se do të ketë një tjetër protestë kombëtare të hënën pasdite, ndërsa të dielën në mëngjes do të kërkohet para drejtorisë së Policisë së Tiranës, lirimi i sekretarit organizativ të PD-së, Sit Dollapi, që u shoqërua gjatë zhvillimit të protestës.
Për 6 orë, simpatizantët e opozitës sulmuan institucionet. Nisën me kryeministrinë ku hodhën bomba molotov në hyrjen e godinës që u përfshi nga flakët në pjesën e derës kryesore. Forcat e policisë u rrezikuan pasi bombat molotov hidheshin në drejtim të tyre që ruanin sigurinë e kryeministrisë në kordonin e parë. 14 efektivë mbetën të plagosur dhe dy protestues. Turma e protestuesve çau edhe kordonin e policisë duke u ngjitur në hyrjen e kryeministrisë, por militantët nga jashtë kordonit hodhën sërish bomba molotov duke rrezikuar edhe vetë protestuesit, njërin prej të cilëve e largoi nga flakët një efektiv i policisë. Më tej u sulmua edhe kryesia e Kuvendit.
Ndërkohë që pas mbajtjes së fjalimit të kryedemokratit Basha në podiumin para kryeministrisë me në sfond zhurmën e bombave molotov, protesta u zhvendos tek parlamenti. Aty dhuna ishte edhe më e madhe pasi protestuesit nisën furishëm të hedhin bomba artizanale molotov ndaj policisë, fishekzjarrë dhe sende të forta në drejtim të tyre. Turma u shpërnda me hedhjen e gazit lotsjellës nga ana e policisë, por ashtu siç shpërndahej ashtu edhe rimblidhej sërish duke përsëritur aktet e dhunshme.