TIRANE - Problematikat që punonjësit e Policisë së Shtetit kanë lidhur me mosmarrjen e orëve suplementare, ato shtesë, apo edhe për sigurimin e jetës, kanë bërë që Avokati i Popullit, me anë të një kërkese zyrtare tu drejtohet kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, për zgjidhjen e kësaj situate. Në një intervistë për Report Tv, kreu i Sindikatës së policisë, Sadedin Fishta shpjegon të gjitha këkresat drejtuar dy institucioneve.
“Janë akte që punonjësve të policisë u jepen një seri të drejtash, të cilat kanë të bëjnë me trajtimin financiar të punonjësve të policisë në lidhje me pensionin e parakohshëm, pensionin e shërbimit. Bëhet fjalë për sigurimin e jetës të punonjësve të policisë. Ne jemi dëshmitarë të situatave që kalon vet vendi ynë, për rritjen e kriminalitetit në përgjithësi. Problematike janë edhe orët suplementare. Ne e dimë shumë mirë se punonjësit e policisë punojnë nga 10 deri në 12 orë, sidomos punonjësit që janë në terren. Do të ishte një masë shumë e mirë vendosja e psikologut, pasi ai do të përcaktonte saktë e me përgjegjësi se cila do të ishte standardi për të cilën një punonjës policie duhet të shkojë në një shërbim të caktuar”, shprehet Fishta.Transferimi pa kriter i punonjësve të policisë larg vendbanimit të tyre është një nga problematikat kryesore, e që për kreun e Sindikatës së Policisë, shpenzimet që ata duhet të bëjnë u zvogëlojnë buxhetin familjar.
“Ne kemi një situatë të rënduar për punonjësit e policisë të cilët janë transferuar jashtë vendbanimeve të tyre, sidomos për punonjësit e policisë që janë kryefamiljarë. Sepse transferimi jashtë vendbanimit të tyre e përgjysmon buxhetin familjar, pasi një pjesë të të ardhurave ai do t’i konsumojë për vete dhe nuk dinë pastaj se çfarë do t’u mbetet familjes. Duke ditur që edhe pagat e punonjësve të policisë që kanë që në vitin 2014 që nuk kanë asnjë rritje. 60% e punonjësve të policisë janë pa strehim, flasim për atë kategori që e konsiderojmë se janë kryefamiljarë, që jetojnë në shtëpi me qira dhe një pjese e mirë e këtyre punonjësve të policisë kanë arritur të marrin një kredi nëpërmjet bankave”, tha Sadetin Fishta
Sipas Fishtës, ekzekutimet e vendimeve të gjykatave, për heqjen pa të drejtë të punonjësve të policisë, ka bërë që Policisë së Shtetit ti dobësohet buxheti.
“Në ekzekutimin e këtyre vendimeve të formës së prerë, të paktën deri në vitin 2018 policia ka paguar më tepër se 2-3 milionë euro”, shprehet kreu i Sindikatës së Policisë.
Sadedin Fishta shprehet më tej se për të gjitha këto problematika, e ka vënë në dijeni kryeministrin Rama prej gati një viti, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.