TIRANE-Zv/ kryeministri Erjon Braçe drejtoi sot mbledhjen e shtatë të jashtëzakonshme të qeverisë në mungesë të kryeministrit Edi Rama, që ndodhet në Londër në Samitin e NATO-s. Ai kërkoi që fokusi tashmë të jetë në zonat rurale, që kanë mbetur pak mbrapa. Braçe ngriti edhe dy shqetësime kryesore në mbledhje, e para se shtesat mbi pallatet para viteve 1990 rrezikojnë strukturën e godinës, jo tani, por më tutje dhe e dyta denoncimet që ka marrë nga disa qytetarë se kolonat e garazhe janë sharruar për t'u hapur vende. Edhe pse Rama në ditët e fundit ka bërë paralajmërime të qarta për ndërtuesit që duhet të paraqiten për të riparuar dëmet e pallateve që kanë ndërtuar (ata që nuk kanë dëme në strukturë), Braçe tha se deri tani në Tiranë nuk është paraqitur asnjë.
Zv/ kryeministri kishte edhe një tjetër detyrë për ministritë në lidhje me dëmtimet e institucioneve publike. "Ende nuk kemi një përgjigje për instrumentin financiar me të cilin do të ndërhyjmë për objektet publike. Ministrat e kanë paraqitur shqetësimin, Ministrja e Drejtësisë për institucionet e sigurisë, Ministrja e Shëndetësisë për objektet shëndetësore dhe ajo e Arsimit për institucionet arsimore. Sa më parë duhet të kemi instrumentin financiar brenda tavaneve buxhetore me qëllim që puna të fillojë edhe në këtë aspekt dhe të ofrojmë edhe kushte të tjera në ato objekte ku janë goditur lehtë dhe dëmi mund të riparohet fare thjeshtë për këtë gjë" tha Braçe.